1/3 e shqiptarëve mbajnë euro “cash” – Banka Qendrore e Austrisë flet për 200 euro në “xhep”
Banka Qendrore e Austrisë ka publikuar një studim të ri me të dhëna mjaft interesante sa i përket integrimit europian gjatë 30 viteve të fundit. Raporti është periodik dhe i referohet tremujorit të tretë të vitit. Na analyze, Banka Qendrore e Austrisë merr edhe vendin tonë, si një prej atyre shteteve që është munduar vazhdimisht këto tre dekade të integrohet ekonomikisht me Europën, si formalisht, ashtu edhe jo-formalisht.
Një prej të dhënave që del në pah nga raporti, është edhe ajo e pjesës së popullsisë që mban euro cash. Kjo normë fiksohet në diçka më shumë se 30% të popullsisë në të dhënat më të fundit, që i referohen viteve 2017-2018. Grafiku tregon qartë se, norma është në rritje krahasuar me vitet e kaluara. Pra, pavarësisht politikës së deuroizimit të Bankës së Shqipërisë, “dashuria” e shqiptarëve për euron sa vjen e rritet. Vetëm në vitet 2007-2008 norma ka qenë më e lartë se sot, në rreth 32%.
Pas këtyre viteve norma ra deri në rreth 26% në vitet 2013-2014. Krahasuar me rajonin, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë një normë popullsie që posedon para cash në euro, më të lartë se vendi ynë. Por, sa është sasia mesatare e parave në euro që mbajnë shqiptarët cash, nëpër duar? Edhe kësaj pyetje i jep përgjigje Banka e Austrisë. Sasia mediane e eurove cash që mbajnë shqiptarët fiksohet në 200 euro për periudhën 2017-2018. Kjo sasi është në rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën 2015-2016, por sërish shumë larg niveleve të viteve 2007-2012, kur shqiptarët kishin thuajse 400 euro cash për frymë. Të dhënat e këtij raporti janë mbledhur në formën e një ankete.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.