BE, 1 miliard euro për zhvillimin e superkompjuterëve – Komisioni: Kemi mbetur pas në garën globale
Komisioni Europian së bashku me disa prej shteteve anëtare kanë zbuluar të enjten planet e tyre për të investuar në ndërtimin e një infrastrukture europiane të superkompjuterave të nivelit botëror.
Shuma që do të investohet deri në vitin 2020 është rreth 1 miliard euro, kontribute që do të shkojnë si për zhvillimin e teknologjive të reja e makinerive, ashtu edhe për aplikacionet që do të punojnë në këto superkompjutera.
“Superkompjuterët janë motori që fuqizon ekonominë dixhitale. Është një garë e fortë dhe sot BE po mbetet pas, pasi nuk kemi asnjë superkompjuter ndër dhjetë më të mirët në botë. Me këtë iniciativë ne duam t’u japim kompanive dhe kërkuesve europianë kapacitete lider në botë deri në vitin 2020, në mënyrë që të zhvillojnë teknologji të tilla si inteligjenca artificiale dhe të ndërtojnë aplikacionet e jetës së përditshme të së ardhmes në fusha si shëndetësia, siguria apo inxhinieria”, tha Andrus Ansip, zëvendës presidenti i Komisionit Europian për Tregun e Unifikuar Dixhital.
Zhvillimi i teknologjive të reja nënkupton ndërtimin dhe operimin e dy makinerive të nivelit botëror, të afta të bëjnë 1,000,000,000,000,000,000 kalkulime në sekondë, duke u dhënë akses përdoruesve publikë dhe privatë.
Kjo nismë konsiderohet kritike për Bashkimin Europian, pasi aktualisht kompanitë janë detyruar të procesojnë të dhënat e tyre jashtë unionit, çka mund të krijojë probleme në lidhje me privatësinë, mbrojtjen e të dhënave, sekretet e tregtisë, zotërimin e të dhënave.
Nga 10 superkompjuterët më të mirë në botë, 2 ndodhen në Kinë, 1 në Zvicër, 3 në Japoni dhe 4 në SHBA. Brenda Bashkimit Europian, superkompjuteri më i shpejtë ndodhet në Itali, i quajtur CINECA, ndërsa i dyti në Britaninë e Madhe, i cili përdoret për të bërë parashikime të motit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.