“10% e tenderëve u ankimuan nga biznesi” – KPP: Institucionet që kryesojnë listën, 35% e ankesave u pranuan
Rreth 10% e tenderëve të zhvilluar nga institucionet shtetërore gjatë vitit 2019 janë ankimuar nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në garë. Sipas të dhënave të Komisionit të Prokurimit Publik, pranë këtij dikasteri u paraqitën 1052 ankesa teksa vlera e tyre arrinte në 30.4 mln lekë nga 110.6 mln lekë të prokuruara apo 27% e fondit limit të publikuar për prokurim.
Ndërkaq, nga ankesat e shqyrtuara 35.08% e tyre janë pranuar, 45.72 % janë ankesa të refuzuara dhe 19.2 % janë ankesat për të cilat është vendosur mosmarrja në shqyrtim, pushimi i hetimit administrativ ose anulimi i procedures. Ankesat e paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave zënë 80% të rasteve, ndërsa 20% janë ankesa për dokumentet e tenderit. Institucionet me numrin më të lartë të ankesave ndaj procedurave tenderuese janë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe Posta Shqiptare.
Ndërkohë që, Autoritetet Kontraktore me vlerë më të lartë të fondit limit të procedurave të ankimuara janë Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Po ashtu, Autoritetet Kontraktore me numrin më të lartë të ankimeve për shërbime janë Instituti i Shëndetit Publik dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, ankesat për punë kryesohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Patos, ndërsa për mallra numri më i madh i ankesave është adresuar ndaj Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara dhe Postës Shqiptare. Ndërkaq, sikurse edhe vitet e kaluar një numër tejet të lartë ankesash zënë procedurat “Për shërbimin e ruajtjes së sigurisë fizike”, me 39% të të gjithë totalit të ankesave.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.