105 vjet pulla e parë shqiptare – Duraj: Synojmë të rrisim të ardhurat me 10%
Shënohen 105 vjet nga emetimi i pullës së parë shqiptare. Në një aktivitet të organizuar me këtë rast u bë publik fakti se Posta Shqiptare për vitin e Skënderbeut do të emetojë një pullë me simbolikën e tij. Administratori i Postës Shqiptare Laert Duraj në fjalën e tij përshëndetëse u ndal në objektivin që ka ky institucion për të rritur të ardhurat me 10%.
“Posta Shqiptare ka vite që del me rezultate pozitive dhe është një kompani e cila përmirëson punë e saj çdo ditë dhe më shumë. Dhe meqë shifrat në këtë punën tonë janë të rëndësishme, objektivi ynë është që të rrisim të ardhurat prej 10% në të gjitha llojet e shërbimeve që ofrojmë. Rezultatet e tremujorit të parë na bëjnë optimistë që ky objektiv do të realizohet. Tashmë më shumë se 45% e të ardhurave të postës realizohet nga sektori i shërbimeve financiare, fakt që tregon qartë se Posta është një institucion financiar i konsoliduar tashmë”, tha Duraj.
Me rastin e 105 vjetorit të pullës së parë shqiptare, në ambientet e Muzeut Kombëtar nga data 3-5 maj ka qenë e hapur ekspozita e Pullës Shqiptare e realizuar me mbështetjen e Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.