13 kritere për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Tërmetet, pandemitë, përmbytjet, zjarret, Qeveria rishikon rastet kur ndërhyn shteti
Më herët përmbyrtjet, e më pas tërmeti e veçanërisht Pandemia kanë sjellë një rishikim të plotë të rasteve kur Shteti do të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Përmes një vendimi që mban datën 17 mars, Këshilli I Ministrave ka përcaktuar 13 llojet e katastrofave kur ajo do të shpallet, ashtu si dhe institucionet që do të përfshihen në marrjen e këtij vendimi. Ato nisin nga tërmetet, përmbytjet, pandemitë, temperaturat ekstreme, rtekët e deri te aksidentet rrugore apo teknologjike.
a) Për tërmetet, të dhënat e para jepen nga strukturat brenda 2 (dy) orëve dhe në mënyrë periodike për vijueshmërinë e goditjeve sizmike, dëmet e shkaktuara në humbje të jetëve njerëzore, banesa dhe dëme të tjera infrastrukturore, deri në shuarjen përfundimtare të goditjeve sizmike.
b) Për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, duke mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën.
c) Temperaturat ekstreme e të tejzgjatura, kur këto shkaktojnë dëme serioze në jetën dhe shëndetin e njerëzve, edhe në pasuritë e tyre.
ç) Rrëshqitjet arkitektonike të shkaktuara drejtpërdrejt nga një ngjarje tërmeti apo nga dukuri të tjera gjeologjike, të cilat kanë shkaktuar humbje të jetëve njerëzore, të gjësë së gjallë ose dëme në banesa dhe infrastrukturë.
d) Për ortekët e formuar nga dëbora e akumuluar dhe e paqëndrueshme, në terrene të pjerrëta mjaftueshëm (mbi 30o), rënia e të cilëve ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në njerëz dhe në gjënë e gjallë ose bllokim të rrjetit të infrastrukturës kritike.
dh) Për erërat e forta në tokë dhe në det, kur ato zgjasin në kohë e në hapësirë, duke sjellë probleme për transportin rrugor dhe atë detar, duke u shoqëruar me rrëzime të pemëve, të objekteve apo të strukturave të ndryshme me rrezik për aksidente, gjymtime e dëme të pronës dhe, me raste, kërcënim të jetës.
e) Për zjarret masive në pyje apo në zona të populluara, kur ndezja e zjarreve mund të ndodhë lehtë dhe me përhapje të shpejtë të flakëve, në zonat e ekspozuara, duke kërcënuar jetën e njeriut, pronën dhe gjënë e gjallë, shoqëruar me temperatura të larta dhe erëra të forta, duke bërë edhe kontrollin e tyre shumë të vështirë.
ë) Për sëmundje infektive me përhapje masive, të cilat mund të jenë epidemi, e cila është paraqitja e dy dhe më shumë rasteve të sëmundjeve infektive, të lidhura në kohë e në territor apo rritje mbi normën e pritur të numrit të rasteve të sëmundjes dhe pandemi, ku përhapja masive e sëmundjes ngjitëse i kalon kufijtë e shtetit, duke përfshirë disa shtete e më shumë se një kontinent.
f) Për aksidentet teknologjike që vijnë si rezultat i sulmeve terroriste, të problemeve teknike të pajisjeve prodhuese, apo dështimeve teknike.
g) Për aksidentet rrugore, hekurudhore, detare, ajrore, që vijnë si rezultat i dështimeve, gabimeve njerëzore, dobësive të thella strukturore të vetë mjeteve, teknikës apo të infrastrukturës së tyre, ose faktorë të jashtëm, të cilët shkaktojnë dëme serioze në jetën, shëndetin e njerëzve dhe në pasuritë e tyre.
gj) Për aksidentet bërthamore apo radiologjike.
h) Rrëzimet e digave të shkaktuara drejtpërdrejt nga një ngjarje tërmeti, nga amortizimi në vite, ndryshimi i kushteve klimatike etj., që sjellin si pasojë përmbytje masive, të cilat shkaktojnë dëme serioze në jetën, shëndetin e njerëzve e në pasuritë e tyre, si dhe kolaps në ekonomi.
i) Për dukuri natyrore ekstreme apo fatkeqësi të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, në gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.