136 milion lekë për rrëshqitjen e Borshit – Hapet tenderi, sistemimi nuk do të jetë gati për sezonin turistik
Sistemimi i rrëshqitjeve të shkaktuara në rrugën Sarandë-Borsh nuk do të jetë gati në këtë sezon turistik. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një procedurë tenderuese me një fond limit prej 136 milion lekësh pikërisht për rëshqitjen e Borshit, ndërkohë që sipas dokumenteve të tenderit ofertat nga kompanitë e interesuara do të dorëzohen deri në datën 5 maj. Gjithashtu, saktësohet se afati kohor për ekzekutimin e kontratës do të jetë 4 muaj e gjysmë që nga momenti i nënshkrimit, çka do të thotë se në rastin më të mirë, pra nëse nuk ka ankesa nga kompanitë pjesëmarrëse në garë, punimet nuk do të mund të përfundojnë përpara muajit tetor të këtij viti.
Çarja e rrugës u shkaktua në datën 8 janar të këtij viti, si pasojë e rreshqitjeve të shiut, ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi në atë kohë se ishin shkaktuar dëmtime në trupin e rrugës. Gjithashtu, për shkak të këtyre dëmtimeve kalimi i automjeteve në këtë pjesë të rrugës bëhet vetëm me një kalim, ndërkohë që kalimi i mjeteve të rënda është i ndaluar. Rrëshqitja ka ndodhur rreth 3 km në dalje të fshatit Borsh, ndërkohë që ky aks i ishte nënshtruar rregullimeve në fillim të sezonit veror të vitit të kaluar. Kjo edhe për shkak të rëndësisë që ai ka gjatë sezonit turistik, për të gjithë turistët që zgjedhin të kalojnë pushimet në jug të vendit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.