14 milion dollarë për të drejtat e autorit mbi një flamur – Qeveria australiane: ‘I përket të gjithëve’!
Qeveria e Australisë ka blerë të drejtën e autorit për flamurin aborigjen, duke e bërë atë të disponueshëm lirisht për përdorim publik dhe duke i dhënë fund një beteje të gjatë mbi dizajnin. Në një marrëveshje me vlerë më shumë se 20 milionë dollarë australianë (14 milionë dollarë), qeveria e kryeministrit Scott Morrison siguroi të drejtat nga artisti indigjen Harold Thomas, i cili krijoi flamurin mbi 50 vjet më parë.
Marrëveshja do të thotë se flamuri tani mund të riprodhohet në veshje, mallra, fanella sportive ose vepra arti — pa leje dhe pa pagesë. Në një deklaratë, Morrison tha se flamuri ishte “liruar”, duke shtuar se administrata e tij “kishte kërkuar të mbronte integritetin e flamurit aborigjen, në përputhje me dëshirat e Harold Thomas”.
Dizajni i kuq, i zi dhe i verdhë është njohur si një flamur zyrtar i Australisë që nga viti 1995. Por u bë objekt i një mosmarrëveshjeje tregtare kur një kompani që licencoi imazhin nga Thomas filloi të kërkonte pagesë nga organizata të ndryshme që e përdorin atë, duke përfshirë një bamirësi shëndetësore, disa marka veshjesh dhe Liga Kombëtare e Regbit të Australisë.
Një hetim parlamentar i vitit 2020, i cili mbështeti përpjekjet e qeverisë për të marrë të drejtat nga artisti, i përshkroi veprimet e të licencuarit si “të rënda”, por “krejtësisht të ligjshme”. Një fushatë “Çliro flamurin”, e themeluar në vitin 2019, bëri thirrje për t’i dhënë fund marrëveshjeve ekskluzive të licencimit. Ajo fitoi mbështetje nga disa australianë aborigjenë të profilit të lartë dhe jo vetëm.
Në një deklaratë, ministri për Australianët Indigjenë, Ken Wyatt, e përshkroi flamurin si një “simbol të qëndrueshëm pranë zemrës së njerëzve aborigjenë”, duke shtuar: “Tani që Commonwealth mban të drejtën e autorit, ai i përket të gjithëve dhe askush nuk mund ta marrë atë.”
I projektuar nga Thomas përpara një demonstrate në Adelaide në 1971, flamuri që atëherë është bërë një emblemë për australianë aborigjenë dhe shpesh shihet duke fluturuar nga ndërtesat qeveritare. Rrethi i verdhë i dizajnit përfaqëson diellin dhe shiriti i zi simbolizon njerëzit indigjenë, ndërsa pjesa e kuqe lidhet me gjakun e tyre dhe me tokën. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.