14 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri. Numri i të shëruarve kalon për herë të parë të infektuarit
Prej më shumë se një jave në Shqipëri, numri i të shëruarve është më i lartë se ai i personave aktivë të infektuar me koronavirus. Aktualisht janë 314 të shëruar në total, dhe vetëm 222 raste aktivë, nga 562 që është numri në total i të gjithë të infektuarve në vendin tonë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar me COVID-19 14 raste të reja nga 231 persona të dyshuar që u testuan. Nga këto teste, 35 ishin personel mjekësor, ku vetëm një bluzë e bardhë në Shkodër doli pozitiv. Nga 14 rastet e reja, 7 janë në Krujë, 5 në Tiranë dhe 2 në Shkodër.
Deri më tani në Shqipëri janë kryer 5542 teste, nga të cilat vetëm 10% e të testuarve kanë dalë pozitiv, pra shifra 562 të prekur. Sipas Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik, kjo shifër tregon “për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën”.
Deri më tani, Shqipëria shënon 26 viktima të prekur me koronavirus. shumica prej të cilëve kanë pasur edhe sëmundje bashkëshoqëruese.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.