15 mijë leje lindje në 6 muaj – Rritet numri i grave përfituese, kryesojnë të vetëpunësuarat në bujqësi
Rreth 15 mijë gra kanë përfituar leje lindje më të drejtë pagese nga buxheti i sigurimeve shoqërore në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të përpunuara nga TV SCAN, shumica prej tyre apo afro 5,668 rezultojnë të vetëpunësuara në bujqësi, duke u ndjekur nga gratë e e punësuara në firmat private, ku kanë përfituar leje lindje 5438 prej tyre.
Më pak leje të dhëna figurojnë për gratë e punësuara në institucionet buxhetore apo të vetëpunësuara. Në raport me 6 mujorin e një viti më parë, shifrat tregojnë që të ketë një rritje me afro 1509 gra më shumë të cilat kanë sjellë në jetë një fëmijë dhe kanë marrë raport barrëlindjeje.
Rrjedhimisht janë rritur lehtë edhe shpenzimet e buxhetit të ISSH-së për barrëlindjet, ku në 6 muaj janë paguar në total afro 1.8 miliardë lekë. Kjo pagesë, korrespondon me 80 për qind të pagës neto për gratë e punësuara që marrin leje lindje, për 6 muajt e pare, dhe më pas për periudhën tjetër reduktohet në 50 për qind. Po ashtu kjo kategori përfiton edhe një shpërblim në rast se të dy bashkëshortët janë në marrëdhënie pune.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.