18.3 milion euro dëm në buxhet – Raporti i KLSH për 6-mujorin/ Shkelje me tenderat dhe shpërdorim fondesh
Dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shteti në gjysmën e parë të këtij viti arrin në afro 18.3 milion euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin auditues për periudhën Janar-Qershor 2020, ku evidenton se shkeljet më të mëdha me efekte të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe jo vetëm, lidhen me administrimin e të ardhurave, si menaxhimin jo të kujdesshëm në procesin e përdorimit të fondeve publike; keq administrimin e pronës shtetërore ndjekur nga pa ligjshmëritë procedurale dhe ineficencat në realizimin e procedurave të prokurimit publik, si dhe shkeljet në zbatimin e legjislacionit fiskal.
Kështu në fushën e të ardhurave, dëmi ekonomik arrin në vlerën e 8.5 milionë eurove. Por nga ana tjetër akoma edhe më i lartë paraqitet dëmi në shpenzime, duke arritur në nivelin e 9.8 milionë eurove dhe lidhet me shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor. Auditimet janë kryer në 34 subjekte dhe janë shtrirë në institucione qendrore dhe njësi të varësisë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.