2 shatërvanë në qytet, për të edukuar komunitetin me kulturën e punës- Bashkia Roskovec shpall tenderin në APP
Qyteti i Roskovecit do të ‘pasurohet’ me dy shatërvane në qendër të tij. Bashkia e Roskovecit ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe ka vënë në dispozicion një fond limit prej 1.69 milionë lekësh.
Qëllimi i këtij investimi, sipas dokumentacionit të tenderit është t’i japë qytetit një pamje tjetër si dhe t’i shërbejë komunitetit si formë argëtimi, përpos freskimit të ajrit në ditët me temperatura të larta.
“Gjatë zbatimit të projektit është menduar të angazhohen pjestarët e komunitetit në realizimin e punimeve, duke shërbyer si një instrument për përvetësimin e teknikave dhe mënyrave të rregullimit dhe mirëmbajtjes së banesave” specifikohet në detajet e relacionit përmbledhës.
Nga dokumentacioni, ky investim shihet si një mënyrë për të edukuar vendasit me konceptin e punës si dhe me kujdesin ndaj komunitetit. Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri në datën 17 shtator, ora 09:00.
Që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues, realizimi i dy shatërvanëse do të kryhet brenda një afati 3 mujor.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.