20 mln euro subvencione në bujqësi – Krifca: Problem pronësia mbi token. 38 mijë fermerë, potencial përfitimi
Vetëm ditën e parë të hapjes së aplikimeve për financimet në bujqësi, kanë shfaqur interes rreth 400 fermerë, ndërkohë që deri në fund të afatit që është 28 Marsi, priten rreth 15 mijë aplikime. E ftuar në studion e TV SCAN, Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, thekson se në ndër problematikat e hasura në terren është mungesa e certifikatës së pronësisë mbi tokën. Megjithatë është një numër i lartë fermerësh që janë potencialë për përfitim.
“Fermerët e punojnë tokën, e kanë të tyre në thonjëza, por nuk kanë legalizimin apo nuk kanë dokumentat e duhura, sidomos në zonat e thella të Veriut kjo paraqitet akoma më problem për shkak të ligjit 7501, të famshëm, i cili nuk njihet. Kështu që natyrisht do të kemi një përqindje vështirësie në këtë aspekt sepse ky është një kriter i domosdoshëm që AZHBR të ketë mundësi të verifikojë më pas aplikimin e kryer dhe është përjashtuese për disa nga fermerët. Gjithsesi ne kemi rreth 38 mijë fermerë të verifikuar aktivë tashmë në sistem, me numër NIPT-i, të cilët janë potencialë për të aplikuar, që do të thotë se ata mund të përmbushin kriteret.”
Janë 52 skema ku fermerët kanë mundësi të aplikojnë për financim dhe do të mbështeten 8 sektorë të ndryshëm. Në fazën e aplikimeve, fermerët nuk kanë nevojë për dokumente pasi gjithçka bëhet me vetëdeklarim.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.