20% rritje pagash për diplomatët – Buxheti i vitit 2019 shton në listë dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik
Kryeministri Rama ka publikuar listën e kategorive që përfitojnë rritje pagash nga buxheti i vitit 2019, midis të cilëve dhe punonjësit e shëndetësisë, të arsimit dhe ata të diplomacisë. Dy miliardë lekë shkojnë për fondin e rritjes së pagave për rreth 60 mijë të punësuar nga buxheti i miratuar për vitin 2019.
Kategorive që do iu rriten pagat iu shtohen këtë vit dhe diplomatët. Rritja e dedikuar për përfaqësitë diplomatike kap shumën 120 milionë lekë. Nga rritja me 20% do të përfitojnë 308 punonjës të trupave diplomatikë. Listës së pagave që do përfitojnë rritje page mesatarisht 7% iu shtohen dhe 4650 mjekë dhe 13,765 infermierë, laborantë dhe ndihmës mjekë.
Ndërkohë që në sektorin e arsimit, do të punësohen 438 edukatorë në 32 bashki si dhe do të ketë rritje pagash për një sërë kategorish. Kështu, pagat e edukatorëve rriten me 9,1% dhe ato të stafit të arsimit para universitar me 7%. Një tjetër sektor që përfiton rritje të pagave është dhe ai i mbrojtjes, ku më shumë përfitojnë ushtarakët aktivë me rritje 10%-19% dhe më pak policët e burgjeve me rritje 7%.
Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.