2018, bum privatizimesh – Në shitje 568 objekte shtetërore, do përdoren për kompensim
Komisioni Ndërinstitucional për identifikimin e pronave shtetërore që mund të përdoren për kompensimin e pronarëve ka identifikuar në total 1570 objekte që mund të shfrytëzohen për këtë qëllim. TV Scan ka zbardhur komunikimin zyrtar mes Agjencisë së Trajtimit të Pronave, e cila ka rolin e Sekretariatit Teknik të Komisionit, me 5 institucione, të cilave u është kërkuar informacion mbi pronat e disponueshme. Mësohet se janë përgjigjur Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe ajo e mbrojtjes.
Agjencia e Trajtimit të Pronave bën me dije se për 568 prej tyre ka nisur tashmë procedura e privatizimit. Bëhet fjalë për ambientet e ish uzinave, fabrikave e ndërmarrjeve shtetërore të epokës së komunizmit, magazina, depo, ndërtesa, si dhe një numër i konsiderueshëm ish repartesh ushtarake.
Pjesa më e madhe e këtyre objekteve gjenden në Tiranë e Elbasan, përkatësisht 122 dhe 121 pasuri. Pjesa tjetër e pronave për të cilat kanë nisur procedurat e privatizimit gjenden në Fier, Shkodër e Berat. Por nuk mungojnë as pronat shtetërore në bregdet, të cilat janë përqendruar kryesisht në qytetet Durrësit dhe Vlorës.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.