2019, rritet evazioni fiskal – Prokuroria: Procedimet për “Veprat penale në lidhje me taksat e tatimet” u rritën 24,6%
Prokuroria e Përgjithshme raporton për një rritje të ndjeshme të veprave penale që kanë të bëjnë me evazionin fiskal për vitin 2019. Televizioni Scan ka zbardhur të dhënat mbi hetimet e kryera nga organi i akuzës për vitin e shkuar, nga të cilat rezulton një rritje prej 24,62 % të numrit të procedimeve të regjistruara për “Veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet” në krahasim me vitin 2018. Sipas të dhënave, për vitin e shkuar janë nisur në total 415 procedime për këtë grup veprash penale, nga 333 një vit më parë. Ndërkaq rezulton ulje prej 2,83 % të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2018.
Në lidhje me të pandehurit, për këtë grup veprash penale, vihet re rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2018 prej 35,38 %.
Fshehja e të ardhurave zë edhe peshën më të madhe në këtë grup veprash, me 65,78 % për vitin 2019.
Nga të dhënat statistikore të vitit 2019 vërehet tendenca në rritje prej 26,39 % e numrit të procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal “Fshehja e të ardhurave” në krahasim me vitin 2018.
Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për veprën penale të fshehjes së të ardhurave është në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë ku janë regjistruar 25 % e numrit total të procedimeve në shkallë vendi, në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë Berat, ku janë regjistruar 12 % e procedimeve në shkallë vendi, në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë Shkodër ku janë regjistruar 11 % e procedimeve në shkallë vendi, në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë Durrës e Elbasan ku janë regjistruar respektivisht rreth 8 % e procedimeve në shkallë vendi.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.