2020, Qeveria shton faturat e papaguara – Ministria e Financave: Stoku i borxhit të institucioneve 230 milionë dollarë në total
Viti 2020 është mbyllur me një nivel mjaft të lartë detyrimesh të papaguara nga ana e institucioneve qendrore dhe atyre vendore. Ministria e Financave ka publikuar totalin e detyrimeve të prapambetura nga administrate publike, të cilat arrijnë në total 23.8 miliardë lekë, afërisht rreth 280 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e detyrimeve përbëhet nga TVSH e parimbursuar ndaj bizneseve, e cila arrin në vlerën e 9.7 miliardë lekëve, afërisht 97 milionë dollar. Ndërkohë që shifër e konsiderueshme borxhesh është akumuluar nga njësitë e qeverisjes vendore, detyrimet e të cilave në total rezultojnë në vlerën 7 miliardë lekë, afërisht 70 milionë dollar. Për pjesën tjetër të detyrimeve të papaguara janë përgjegjëse të institucioneve të qeverisjes qendrore, të cilat arrijnë në 6.9 miliardë lekë, afërisht 69 milionë dollar. Bije në sy se rreth gjysma e kësaj shume I takon vendimeve gjyqësore të pashlyera nga ana e institucioneve, me një vlerë totale prej rreth 35 milionë dollarësh. Të dytat në radhë për nga pesha ndaj totalit renditen detyrimet e papaguara për investime, si nga ana e institucioneve qendrore, ashtu dhe nga bashkitë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është institucioni me stokun më të lartë të detyrimeve të papaguara për vitin 2020, me një total prej 1.4 miliardë lekësh, apo afërisht 14 milionë dollarë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjendet në vendin e dytë të listës së institucioneve me më shumë detyrime, me një total prej 994 milionë lekësh, apo afërisht 9 milionë dollarësh, e ndjekur nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë, me përkatësisht 6 milionë dollar dhe 2 milionë dollar borxhe.
Për sa i përket njësive të qeverisjes vendore, është Bashkia Durrës subjekti me stokun më të lartë të detyrimeve të papaguara me vlerë rreth 1.8 milionë dollarë e ndjekur nga Bashkia Dibër me një faturë të papaguar prej afërisht 1 milionë dollarësh.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.