2020, vit i keq për energjinë – ERE: U prodhua 10% më pak se mesatarja 11-vjeçare, 31% e nevojave konsumatore, u importua
Gjatë vitit 2020 u prodhua 10% energji më pak sesa mesatarja vjetore e 11 viteve të fundit. Në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, që do të diskutohet në komisionet parlamentare, saktësohet se kjo situatë erdhi si pasojë e thatësirës, duke nxjerrë edhe një herë në pah nevojën për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë. Sipas raportit, ulja e prodhimit solli realizimin e një importi të konsiderueshëm të energjisë elektrike për mbulimin e kërkesës dhe furnizimin e pa ndërprerë të klientëve në vend. Në total u importua 2,275 GWh, që është rreth 31% të vlerës totale të konsumit, çka sipas ERE-s e kthen 2020-ë një ndër vitet me importin më të madh të energjisë elektrike gjatë dhjetë vjeçarit të fundit.
ERE e konsideron 2020-ën si një vit jo të mirë, edhe për faktin se prodhimi nuk u rrit, pavarësisht rritjes së kapaciteteve prodhuese. Kjo pasi, përgjatë vitit 2020 kanë hyrë në prodhim gjithsej 20 centrale prodhuese të energjisë elektrike, me një fuqi të instaluar prej 227.8 MË, të cilët kanë prodhuar gjatë Vitit 2020 sasinë prej 182,816 Mwh apo rreth 3.44 % të prodhimit total vendas të energjisë elektrike.
Sipas raportit Prodhimi i energjisë nga Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ra me 38% në raport me vitin 2018, teksa pjesa e prodhimit, që realizohet nga prodhuesit e pavarur private të energjisë elektrike, zë një pjesë të konsiderueshme në prodhimin vendas. Gjeneruesi publik prodhoi 58% të totalit të energjisë së prodhuar, ndërkohë që 42% u prodhua nga hidrocentralet private dhe koncesionare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.