2020, viti i eksport-importeve pandemike/ Si u luhatën shkëmbimet tregtare të Shqipërisë
Në vitin “e famshëm pandemik” vlera e eksportit ra në 271.9 miliardë lekë, ndwrsa shifra e importeve ra në 605.2 miliardë lekë duke bërë që importi të jetë “goditur” me afro 7%, krahasuar me vitin 2019.
Përpos eksporteve me Turqinë, Shqipëria përgjatë 2020-ës ka rritur edhe dërgesën e mallrave drejt disa shteteve të tjera. Sipas Instat, përpos Turqisë, bëhet fjalë për eksportet me Gjermaninë, Greqinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainën.
Eksportet nw tekstilet dhe këpucët kanë ndjerë ulje me 5.3 pikë përqindje, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike ka ndikuar me -3.5 pikë përqindje, ndërsa materialet e ndërtimit dhe metalet kanë rënë me 1.2 pikë përqindje.
Pandemia e COVID – 19 ka prishur balancat jetësore në çdo aspekt, duke lënë pas dëme të parikuperueshme, ose dëme që do të duhet një kohë e gjatë të rikuperohen. Tregtia e Jashtme, si një nga zinxhirët kryesorë ekonomik të vendit, ka tentuar të ruajë distancimin social nga pandemia COVID në vitin 2020; shifrat janë ato që tregojnë a ja ka dalë, e nëse po, në ç ‘mënyrë?
Në vitin 2020, eksportet e mallrave kanë rënë me afro 10%, krahasuar me vitin 2019. Raporti vjetor i Instat mbi Tregtinë e Jashtme tregon se eksportet kanë rënë me 26.8 miliardë lekë, krahasuar me periudhën janar – dhjetor 2019. Në 2019, Shqipëria ka eksportuar në total mallra me vlerë 298.7 miliardë lekë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të vitit 2020, vlera e eksportit ra në 271.9 miliardë lekë. Sa i takon importit, referuar shifrave të Instat, nga 649.1 miliardë lekë në periudhën janar – dhjetor 2019, shifra ra në 605.2 miliardë lekë për po të njëjtën periudhë të vitit 2020. Thënë ndryshe, në vitin “e famshëm pandemik”, importi është “goditur” me afro 7%, krahasuar me vitin 2019.
Gjermania ka rezultuar si shteti me të cilin eksporti është rritur më shumë gjatë vitit 2020, me afro 13%, ndjekur nga Greqia, me 3.4% dhe nga Maqedonia e Veriut, me 3.4%. Nga ana tjetër, vendet me të cilat eksporti ka rënë më së shumti janë Italia, me afro 14%, Kosova, me 12% dhe Spanja, me 30.4%. Sa i takon importeve, rritja më e madhe përgjatë vitit 2020 kundrejt 2019-ës, është me Greqinë, me 0.2%, Gjermaninë, me 0.3% dhe Serbinë, me 77.8%. E kundërta ka ndodhur me importet nga Italia, Turqia dhe Kina. Instat flet për një rënie me përkatësisht 7.4%, 6.2% dhe 9.5%. Nga ana tjetër, referuar Instat, deficiti tregtar arriti vlerën 333 miliardë lekë, duke u ulur me 4.9 %, krahasuar me vitin 2019.
Pandemia rrit eksportin drejt Turqisë, rënie e ndjeshme e “Made in Turkey”
Shqipëria ka eksportuar 1 miliardë lekë më shumë mallra drejt Turqisë në vitin pandemik. Instat tregon se në vitin 2020, eksporti nga Shqipëria në Turqi ka qenë në vlerën 3 miliardë lekë, nga 2 miliardë lekë në vitin 2019.
Nga ana tjetër, e kundërta ka ndodhur me importin nga Turqia. Në periudhën janar – dhjetor 2020, importi ka rënë me 6.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Nga 61.7 miliardë lekë mallra të importuar në vitin 2019, kjo shifër ra në 57.9 miliardë lekë përgjatë 2020- ës. Grupmallrat që kanë ndikuar më shumë në rënien “e ndjeshme” të importit janë ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’ dhe ‘tekstile dhe këpucë’.
COVID “rrëmben” 20 miliardë lekë nga eksporti drejt Italisë
Afro 20 miliardë lekë më pak eksporte drejt Italisë në vitin 2020! Sipas Instat, në vitin 2020, Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë 123.5 miliardë lekë drejt vendit fqinj, në një kohë që në vitin 2019, kjo vlerë ishte 143.1 miliardë lekë. Referuar raportit vjetor të Instat të Tregtisë së Jashtme, grupmallrat që kanë ndikuar më së shumti në rënien vjetore të eksportit me Italinë, janë tekstile dhe këpucë.
Në janar – dhjetor 2019, vlera e këtij zëri të grupmallrave ka qenë 91.9 miliardë lekë (eksport). Në janar – dhjetor 2020, vlera e tekstileve dhe këpucëve të eksportuara drejt partnerit kryesor tregtar të Shqipërisë, ra në 77 miliardë lekë. Në fakt, të gjithë zërat e tjerë të grumpallrave të eksportuar drejt Italisë rezultojnë në rënie përgjatë vitit pandemik, përveç ushqimit, pijeve dhe duhanit. Shifrat e Instat thonë se eksporti i këtyre grupmallrave është rritur me 1 miliardë lekë, në 2020- ën. Importet nga Italia janë prekur gjithashtu. Në janar – dhjetor 2020, vlera e mallrave të importuar nga Italia rezulton 151.9 miliardë lekë, nga 164.1 miliardë lekë për të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Shqipëri – Kosovë, eksport më pak, import më shumë
Duket sikur viti pandemik i ka mbyllur disi “dyert” e eksportit drejt Kosovës. Në janar – dhjetor 2019, Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë 29.8 miliardë lekë drejt Kosovës. Ndërkaq, në 2020- ën, kjo vlerë ra në 26.2 miliardë lekë. Thënë ndryshe, 3.5 miliardë lekë më pak eksporte drejt shtetit simotër. Nga ana tjetër, importet nga Kosova kanë ndjerë rritje. Sipas shifrave të Instat, në vitin 2019, Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 7.7 miliardë lekë nga vendi shqiptarët e Kosovës, shifër kjo që në vitin 2020, u rrit në vlerën 8.3 miliardë lekë.
Eksporti vendas drejt Gjermanisë “sfidon” pandeminë
Përpos eksporteve me Turqinë, Shqipëria përgjatë 2020-ës ka rritur edhe dërgesën e mallrave drejt disa shteteve të tjera. Sipas Instat, përpos Turqisë, bëhet fjalë për eksportet me Gjermaninë, Greqinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainën. Ndër këto shtete, rritja më e madhe e eksporteve është ndjerë me Gjermaninë, me një diferencë prej afro 13%, krahasuar me vitin 2019.
Nga ana tjetër, me Maqedoninë e Veriut dhe me Greqinë, rritja e eksporteve në vitin 2020 krahasuar me vitin paraardhës, ka rezultuar me 3.4%. Sipas të dhënave të Instat, eksporti vendas drejt Gjermanisë në vitin pandemik ka qenë në vlerën 16 miliardë lekë, 1.8 miliardë lekë më shumë se në 2019- ën. Importet nga Gjermania janë shënuar po ashtu me rritje, edhe pse më “modeste”. Në periudhën janar – dhjetor 2020, importi nga Gjermania ka qenë në vlerën 46.6 miliardë lekë, nga 46.4 miliardë lekë në periudhën janar – dhjetor 2019. Grupmallrat “tekstile dhe këpucë” janë ato që kanë “shënjuar” suksesin e shkëmbimeve tregtare me Gjermaninë, duke qenë zëri kryesor i eksportit vendas, me një vlerë 8.6 miliardë lekë (2020), nga 7.5 miliardë lekë (2019).
Çfarë eksportoi Shqipëria në 2020-ën?
Shqipëria ka eksportuar 3.6 miliardë lekë më shumë gjatë vitit pandemik. Në fakt, ky është zëri me rritjen më të madhe, me 1.2 pikë përqindje më shumë nga viti 2019, i ndjekur nga grupmallrat “makineri, paisje, pjesë këmbimi” me 0.5 pikë përqindje më shumë.
Nga ana tjetër, çdo zë tjetër i eksportit ka qenë me rënie në 2020- ën. Konkretisht, tekstilet dhe këpucët kanë ndjerë ulje me 5.3 pikë përqindje, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike ka ndikuar me -3.5 pikë përqindje, ndërsa materialet e ndërtimit dhe metalet kanë rënë me 1.2 pikë përqindje. Në total, nga 3.6 miliardë lekë më shumë eksport ushqimi, pije dhe duhani, afro 1 miliardë i atribuohet Italisë. Referuar Instat, në janar – dhjetor 2019, eksporti i Shqipërisë drejt Italisë (ushqim, pije, duhan) ka qenë në vlerën 8.6 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit pasardhës, kjo vlerë u rrit në 9.6 miliardë lekë.
Nga Jenida Vladi/ SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.