2021, qeveria shpenzon, qytetarët kursejnë / Konsumi final i popullatës pësoi rënie me 0,71 %, Konsumin i qeverisë u rrit me 0,77 %.
Konsumi final i popullatës vijon të mbetet I ulët për shkak të efekteve të Pandemisë, ndërkohë që Qeveria vijon të mbajë në nivele të larta shpenzimet. INSTAT raporton se Konsumi final i popullatës tre muajt e parë të këtij viti pësoi një rënie me 0,71 %, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me Konsumin final të qeverisë
Ndërsa ashtu si gjatë gjithë vitit 2020 qeveria ka vijuar të mbajë në nivele shumë të larta shpenzimet nga buxheti, qytetarët kanë tkurrur konsumin përgjatë tre muajve të parë të këtij viti. Sipas treguesve zyrtarë të INSTAT të përshtatur sezonalisht, Konsumi final i popullatës pësoi një rënie me 0,71 %, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me Konsumin final të qeverisë, I cili për të njëjtën periudhë u rrit me 0,77 %.
Disnivele të larta konsumi raportohen edhe në vlerësimin e Produktit të Brendshëm sipas metodës së shpenzimeve për tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me tremujorin e parë 2020. Konsumi final i popullatës, sipas kësaj metode, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,49 %, ndërkohë që Konsumi final i qeverisë u rrit me 5,16 %.
Gjithsesi, pas vitit të zymtë 2020, të dominuar tërësisht nga problemet e shkaktuara prej Pandemisë Covid 19, tre muajt e parë të këtij viti ekonomia ka shënuar ritme të larta rritjeje. Lokomotivat kryesore të kësaj rritjeje ka qenë industria, ndërtimi I sistemi bankar. Të dhënat e sapo publikuara nga INSTAT flasin për një kërcim të Produktit të Brendshëm Bruto në raport me tre muajt e parë të vitit 2020.
Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2021 vlerësohet me rritje prej 5,53 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2020.
Sektorët që kanë performuar më mirë janë industria, ndërtimi, sektori financiar, tregu I pasurive të paluajtshme e deri diku edhe ai I teknologjisë së informacionit. Kontribut negative ka dhënë turizmi, që vijon të mbetet sektori më I prekur nga Pandemia, ashtu si dhe aktivitetet profesionale.
Të vlerësuara specifikisht sipas kontribuuesit rezulton se Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,09 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 23,81 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 16,87 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 0,93 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 4,94 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 16,94 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 8,65 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 3,14 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 7,45 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 7,79 %. Taksat Neto mbi produktet u ulën me 0,38 %.
Lorenc Rabeta – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.