2021, sigurimet e pronës dhe shëndetit, modeste – Portofoli i pasurive të paluajtshme zë vetëm 19.3% të totalit, jeta e shëndeti 13.3%
Ndërsa shqiptarët janë përballur dy vitet e fundit me ngjarje si tërmetet, përmbytjet e më tej Pandemia Covid 19, të cilat në pamje të parë duhet t’I nxisnin të siguronin pronën, jetën e shëndetin, kjo nuk ka ndodhur. Përgjatë gjithë vitit 2021, tregu i sigurimeve është dominuar tërësisht nga portofoli i automjeteve, ndërkohë që në nivele mjaft modeste kanë mbetur portofolet e sigurimit nga fatkeqësitë natyrore e shëndetit.
Bilanci I të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregon se portofoli I sigurimit të pronës zë vetëm 19.3% të totalit. Edhe më të ulëta janë shifrat e portofoleve të jetës e shëndetit, të cilat zënë 13.3% të totalit të tregut të sigurimeve.
Në portofolët e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-nëntor 2021 siguruan mbi 3,1 miliardë lekë të ardhura në total, afërsisht 31 milionë dollarë, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 59.89%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 30.48% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-nëntor 2021, vihet re një rritje prej 35.10% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 10.19% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2020.
Ndërkaq, të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2021, arritën në rreth 1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 14.52% në krahasim me periudhën janar-nëntor 2020.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.