25.8% më shumë vdekje në 2020-ën – COVID rriti 4.5 herë vdekjet nga aparati i frymëmarrjes, kryesojnë humbjet e jetës nga zemra
Në 2020-ën u regjistruan 27 605 vdekje, duke shënuar një rritje me 25.8% në raport me vitin paraardhës. Ndërkohë që numri i vdekjeve të shkaktuara nga sëmundje të aparatit të frymëmarrjes, është gati 4.5 herë më i lartë krahasuar me 2019, për shkak të COVID-19. Të dhënat bëhen me dije nga Instituti i Statistikave, që ndër të tjera thekson se jetët e humbura për këtë grup sëmundje përbëjnë rreth 8.9 % e vdekjeve gjithsej, teksa niveli i vdekshmërisë për 100 mijë banorë është 86,5 vdekje.
Qarku i Shkodrës, Lezhës dhe Kuksit janë 3 qarqet nuk numri i i vdekjeve për shkak të sëmundje të aparatit të frymëmarrjes është i lartë me 12%, ndërsa pas tyre vjen Tirana me 11% dhe Elbasani me 9%. Ndërkaq, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut vijojnë të dominojnë shkaqet e vdekjeve në vendin tonë, ku për vitin 2020, vdekjet nga kjo grup sëmundje kanë shënuar një rritje me 23.2% krahasuar me një vit më parë, teksa zënë 52,2% të vdekjeve gjithsej.
Në këtë grup sëmundje, sëmundjet kronike të zemrës zënë peshën kryesore me 33,1%, ndjekur nga sëmundjet e enëve të trurit” me 26,4% dhe sëmundjet ishemike të zemrës me 24,0%. Pas sëmundjeve të zemrës, shkaku i dytë më i madh i vdekjeve janë vdekjet nga pleqëria, që për vitin 2020 shënuan rritje me 24.6% në raport me vitin 2019., ndërsa tumoret renditen në vendin e tretë me 13% të vdekjeve gjithsej. Kjo grup sëmundje ka shënuar një rritje me 0.2% në raport me 2019-ën.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.