25 prilli, OSBE-ODIHR publikon raportin përfundimtar – Problem blerja e votës, patronazhistët dhe keqpërdorimi i administratës. KQZ notë pozitive
Megjithë problemet me shitblerjen e votës, rrejdhjen e të dhënave personale të votuesve, avantazhet që I siguroi Partisë Socialiste të qenit në pushtet, klimës së vështirë politike, si dhe përdorimit të mediave për qëllime elektorale, në zgjedhjet e 25 prillit, u respektua liria themelore e organizimit dhe subjektet zgjedhore patën mundësi të bënin fushatë lirisht, pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe zbatimit në mënyrë jokonsistente të gjobave për shkelje të rregullave. Në këtë përfundim arrin raporti I sapopublikuar I Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të OSBE=ODIHR, I cili konkludon se “në numrin e kufizuar të qendrave të votimit dhe të vendeve të numërimit që u vëzhguan, procesi qe kryesisht transparent dhe i qetë”. Me nota positive trajtohet në raport edhe sistemi I identifikimit biometric, I cili zbuti rrezikun për manipulime, ndërkohë që votimi elektronik, për shkak të afatit shumë të shkurtër të implementimit, nuk dha mundësi për vlerësime thelbësore.
Një notë positive ka marrë nga Misioni I Vëzhguesve Komisioni Qendror I Zgjedhjeve. “Zgjedhjet parlamentare u organizuan përgjithësisht mirë nga administrata zgjedhore. Komisioni I sapoformuar Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u përball me detyrime të reja të zgjeruara pas ndryshimeve të fundit ligjore. Pavarësisht vonesave, duke përfshirë vonesat në miratimin e rregulloreve kyçe dhe në fillimin e fushatës për edukimin e zgjedhësve, si dhe në trajnimin e stafit të qendrave të votimit, KQZja arriti t’i përmbushë si duhet pjesën më të madhe të detyrimeve të saj. Ajo operoi me transparence dhe mbajti seanca të hapura për publikun, të transmetuara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapura për pjesëmarrjen e aktorëve. Administrimi zgjedhor në të gjitha nivelet gëzoi përgjithësisht besimin e aktorëve”, konkludon raporti.
Ndërkohë që nuk është aspak i tillë vlerësimi për rolin e administratës shtetërore, e cila, sipas Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, u keqpërdor nga mazhoranca. “Pavarësisht një kuadri ligjor solid që ndalon shpërdorimin e burimeve administrative dhe minimizon avantazhin e partisë në pushtet, ministrat vazhduan të bënin fushatë gjatë angazhimeve zyrtare. Publiciteti që erdhi si rrjedhojë e kësaj i dha partisë qeverisëse një avantazh të konsiderueshëm. Ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë përbënë shqetësim” konkludon raporti I vëzhguesve ndërkombëtarë.
Nota kritike kanë marrë edhe aktorët e tjerë, duke nisur nga partitë politike, Presidenca e mediat. “Në kapacitetin e tij zyrtar,
Presidenti bëri fushatë kundër partisë qeverisëse”, thuhet në raport. “Mjedisi mediatik është i ngarkuar. Pavarësia editoriale ndikohet negativisht nga interesat e pronarëve, gjë që nxit autocensurën. Gazetarët vazhdojnë të mbeten vulnerabël ndaj presionit dhe korrupsionit”, konkludon raporti.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.