25 vjet Zvicër-Shqipëri – OKB: Shqipëria zyrtarisht në vendet me të ardhura mesatare
Sipas standardeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipëria klasifikohet zyrtarisht në shtresën e sipërme të vendeve me të ardhura mesatare. Në festën e 25 vjetorit të prezencës së Zvicrës në Shqipëri, Koordinatori Rezident i OKB-së në vendin tonë Brian Williams tha se kjo është një arritje e shkëlqyer dhe që duhet të inkurajojë rritje të mëtejshme të ekonomisë.
“Duhet nënvizuar fakti që Shqipëria klasifikohet në shtresën e sipërme të vendeve me të ardhura mesatare në standardet e Bankës Botërore. Është një gjë e mrekullueshme. dhe ne inkurajojmë rritje të mëtejshme. Kryeministri bëri dje publike aspiratën për rritje ekonomike në nivelin 5%, gjë që do të ishte gjë shumë e mirë”, tha Williams.
Ambasadori Christoph Graf i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se Shqipëria do të vijojë të mbetet prioritet për investimet zvicerane.
“Shqipëria është përfshirë në një axhendë reforme dinamike dhe është përkushtuar për të ecur përpara. Kjo është një arsye, dhe një arsye e mirë që Zvicra vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, premtoi Ambasadori Graf.
Viti 2017 shënon 25 vjetorin e përfaqësimit zyrtar zviceran në Republikën e Shqipërisë. Hapja e ambasadës zvicerane në gusht të 1992 në Tiranë, ishte fillimi i një shkëmbimi intensiv dhe bashkëpunimi e partneriteti në rritje.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.