250 milionë lekë gjoba për sigurinë ushqimore – Shkelën ligjin/ 861 biznese u ndëshkuan në 10 muaj
861 biznese agroushqimore në të gjithë vendin janë ndëshkuar me gjoba nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gjatë periudhës Janar-Tetor 2019.
Subjektet janë kapur në shkelje të ligjit të ushqimit, të cilat lidhen kryesisht me tregtimin e produkteve jashtë afateve të përdorimit, mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, mangësi në kushtet higjeno-sanitare, tregtim produkti mish i pa pajisur me certifikatë veterinare dhe vulë, mungesë në dokumentacion shoqërues të importit, mos etiketim në gjuhën shqipe, etj.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer në total rreth 81 mijë inspektime, ku ka vendosur masa me paralajmërim për 6190 subjekte.
Përgjatë periudhës në vijim të vitit, AKU ka nxjerrë një urdhër për kontrolle të shtuara me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore gjatë festave, si dhe paralelisht ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese në subjekte.
Me ristrukturimin që po i bëhet këtij institucioni si dhe shtimit të numrit të inspektorëve, monitorimi i sigurisë ushqimore do të marrë vëmendje më të shtuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.