3 shtetet ku mallrat shqiptare ‘mundën’ COVID-in! Shifrat e eksporteve
Masat që u morën për parandalimin e pandemisë në tremujorin e parë të vitit dhanë pasojë direkt te shkëmbimet tregtare të Shqipërisë.
Eksportet dhe importet e mallrave pësuan një rënie të ndjeshme si rrjedhojë e mbylljes së kufijve nga Shqipëria e nga partnerët e saj tregtare.
Por tashmë duket se tregtia e jashtme po e rimerr veten, duke u rikthyer në ritmet e vitit të kaluar, madje në disa raste edhe duke i kapërcyer shifrat e vitit 2019.
Më disa vende, Shqipëria nuk ka rikuperuar ende në masën e duhur për të arritur nivelet e mëparshme të shkëmbime tregtare, megjithatë janë 3 vende me të cilat shkëmbimet tregtare kanë kapërcyer shifrat e një viti më parë.
Eksportet në Gjermani në periudhën janar-shtator 2020 ishin 11 miliardë e 745 milionë lekë, duke njohur rritje me thuajse 1 miliardë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Po ashtu, Shqipëria ka kapërcyer nivelin e vitit të kaluar të eksporteve me Turqinë ku rezulton se në janar-shtator 2020 ka eksportuar rreth 300 milionë lekë mallra më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Vendi i tretë më të cilin Shqipëria ka kapërcyer nivelet e eksporteve të vitit të kaluar është Kroacia. Në janar-shtator 2020 Shqipëria eksportoi në Kroaci mallra në vlerë 1 miliardë e 174 milionë lekë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet në Kroaci ishin në nivelin e 788 milionë lekëve.
Ku po rikuperojnë eksportet shqiptare?
Referuar të dhënave të INSTAT, eksporti i mallrave shqiptare po arrin nivelin e vitit të kaluar me Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Rënia më e madhe vijon të jetë me Italinë që është edhe partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Këtë vit, Shqipëria ka eksportuar në Itali 20 miliardë lekë mallra më pak se një vit më parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.