30% e PBB në rrezik nga covid-19 – OECD: Në Shqipëri, turizmi, manifaktura, IHD dhe remitancat, gati 1/3 e ekonomisë
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe zhvillim ka publikuar së fundmi një raport për vendet e Europës jug-lindore dhe krizën e prodhuar nga Covid-19, por edhe përgjigjen e qeverive përkatëse në secilën prej vendeve. Raporti vë theksin te fakti se Shqipëria është një ndër vendet që do të vuajnë më shumë në ekonomi për shkak të kontributit që ka turizmi. Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në ekonominë tonë vlerësohet në rreth 8%.
Kjo normë është e treta më e lartë ndër vendet e Europës Juglindore, pas Malit të Zi dhe Kroacisë, ku norma ngjitet në diçka më shumë se 10%. Sa i përket peshës që manifaktura ka në prodhimin kombëtar, Shqipëria, me një normë në pak më shumë se 5% të PBB-së, është vendi i parafundit në rajon, me Malin e Zi që zë vendin e fundit. Të paktën në drejtim të manifakturës, kriza nuk do të jetë shumë e ndjeshme, duke pasur parasysh këto shifra. Sa i përket peshës së investimeve të huaja direkte në ekonomi, Shqipëria vlerësohet si vendi i dytë në rajon, me një normë në rreth 8%, me Malin e Zi në vend të parë.
Edhe remitancat pritet të marrin një goditje. Sipas raportit, Shqipëria është e 4-ta në rajon për peshën e remitancave në ekonomi, me një normë në rreth 10%. Kosova, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë një normë më të lartë se ne. Të gjithë këta indikatorë, pra turizmi, manifaktura, IHD dhe remitancat përfaqësojnë rreth 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë, dhe kriza e shkaktuar nga Covid-19 pritet t`i japë një goditje të fortë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.