30 mln USD për infrastrukturën – Fondi saudit jep kredi të butë për rrugën e Lumit të Vlorës
Rehabilitimi i infrastrukturës në zonën e Lumit të Vlorës do të financohet në fazën e dytë të tij me 30 milionë dollarë nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Nënshkrimi i marrëveshjes së kësaj kredie të butë u bë nga Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe Mohammed Al-Jenaidel, përfaqësues i këtij Fondi.
Ministri Ahmetaj u shpreh gjatë ceremonisë së marrëveshjes se përfitimet ekonomike dhe sociale të saj do të jenë të mëdha.
“Projekti i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të përfundojë në vitin 2020 sipas parashikimeve. Do të përmirësohet aksesi rrugor, do të mundësohen shërbime transporti më frekuente në kohë dhe me kosto më të reduktuar, do të rritet aksesi në tregjet rajonale dhe lokale për të shitur produktet bujqësore dhe blegtorale, do të reduktohet papunësia në zonë dhe do të rriten të ardhurat për popullsinë lokale nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës dhe intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese”, tha Ahmetaj.
Projekti ka një kosto prej 72 milion dollarë, kosto e cila do të financohet nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab në vlerën 42 milion dollarë dhe nga Fondi Saudit për Zhvillim në vlerën 30 milion dollarë.
Huaja ka një interes prej 2% në vit, ndërkohë që maturimi është 25 vjet, ku përfshihet periudha pa pagesë principali prej 5 vjetësh.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.