33 miliardë lekë investime i “ngecin” Dhjetorit! Rriten shpenzimet për zyra dhe personelin
Probabilitetet janë që fondi i investimeve publike të mos ezaurohet i plotë gjatë këtij vitit, çka tregon mosecuri normale të projekteve infrastrukturore.
Referuar treguesve fiskalë të konsoliduar të Ministrisë së Financave, në 11 muaj janë shpenzuar afro 54.5 miliardë lekë nga 87.5 miliardë që është buxheti në total, duke bërë që 33 miliardë lekë t’i mbesin vetëm muajit Dhjetor, gjë që nisur nga praktika e viteve të shkuara është thuajse e pamundur të disbursohen.
Në krahasim me 11 mujorin e një vitit më parë, shpenzimet kapitale kanë një rënie me 3 miliardë lekë. Edhe gjatë vitit të shkuar një pjesë e mirë e fondit në këtë zë mbeti e papërdorur. Në të kundërt, shpenzimet korrente dhe operative kanë pësuar rritje.
Për periudhën Janar-Nëntor 2019, kanë shkuar për shpenzime personeli afro 25 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa zëri i shpenzimeve operative dhë të mirëmbajtjes, kap vlerën e rreth 40 miliardë lekëve të shpenzuara, apo 3.5 miliardë lekë më shumë se Janar-Nëntori 2018.
Kështu, qeveria është treguar dorështrënguar me investimet, dhe ka përdur më shumë se çduhet fondet për personelin.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.