4 mijë lekë për çdo punonjës – Procedurat/ Si përfitohet ndihma anti-covid nga bizneset shqiptare
Qeveria ka akorduar një fond prej 4 mijë lekësh për punonjës, e llogaritur për dymujorin Nëntor – Dhjetor 2020, për të lehtësuar barrën e disa prej kategorive kryesore të ndërmarrjeve që operojnë në vend që zbatojnë protokollet e sigurisë në kuadër të parandalimit të përhapjes së infeksionit coronavirus. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije kriteret, ku përfitues janë ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listë pagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin Qershor 2020, të dorëzuara përpara datës 09.11.2020. Për çdo të punësuar në më tepër se një listë pagesë ndërmarrja përfiton vetëm një herë ndihmën financiare.
Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para. Ndërkaq, ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listë pagesë dhe nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 lekë në listëpagesë.
Po ashtu, nuk përfitojnë bizneset që nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit dhe që nuk kanë dorëzuar deklaratën vjetore për vitin 2019 të tatim i fitimit ose tatim të thjeshtuar mbi fitimin. Për të përfituar këtë masë financiare, tatimet sqarojnë se aplikimi bëhet përmes sistemit e-filing, duke deklaruar NIPT-in e përfituesit; numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti; bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; dhe IBAN-in e llogarisë bankare. Pas verifikimit të të dhënave, bëhet edhe kalimi i pagesave përkatëse.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.