4 skemat e pastrimit të parave – DPPPP: Call Center-at, transfertat nga Amerika Latine, investimet
Pas analizimit të të dhënave nga organet ligjzbatuese, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zbardhur 4 rrugët kryesore që përdoren për të futur në Shqipëri paratë e siguruara përmes krimit e korrupsionit.
E para në listën e Drejtorisë është një skemë që shfrytëzon transferta nga shoqëri të regjistruara në parajsa fiskale, në favor të shoqërive ‘call center’. Raporti i referohet një kompanie “A” me objekt veprimtarie ‘call center’, në llogarinë e saj në një nga bankat që operojnë në vend që në fillimet e aktivitetit kishte përfituar disa transferta të dërguara nga vendet e BE, nga shoqëri të regjistruara në vende të parajsës fiskale (i ndryshëm nga vendi i dërgimit të transfertave). Në të njëjtën adresë që ushtronte aktivitetin kompania A, kishin regjistruar selinë edhe 11 biznese të vogla të tipit Person Fizik me të njëjtin objekt veprimtarie si të shoqërisë A dhe të regjistruara në të njëjtën datë në QKB. Këto biznese ishin regjistruar në emër të punonjësve të shoqërisë dhe kishin moshë tepër të re. Fondet e mbërritura në llogaritë e 11 bizneseve ishin pothuajse në të njëjtat vlera (10,000-15, 000 EUR për transfertë) dhe të gjitha këto fonde tërhiqeshin menjëherë nga shtetasi Z, i cili ishte person i autorizuar për kryerje transaksionesh në bizneset PF si dhe njëkohësisht i punësuar menaxher në shoqërinë A.
E dyta në listën e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të parave është një skemë përmes së cilës futja e parave të pista bëhet përmes transfertave të kryera me vende të Amerikës Latine nga shtetas me lidhje familjare me persona të dënuar për trafikim lëndësh narkotike. Të afërmit e personit të dënuar kanë dërguar për rreth çdo muaj 18 deri 20 transferta nga 200 deri 1 mijë euro në një vend të Amerikës Latine, të cilat janë tërhequr më pas nga të afërm të tjerë.
Tipologjia e tretë përdor transferimet shpeshta të parave në sistemin bankar shqiptar. Një shtetas shqiptar, i cili zotëron 4 biznese, ka marrë një shumë 310 mijë euro nga një kompani me të cilën ka marrëdhënie biznesi. Shtetasi ka kryer për rreth 6 vite transferta të tilla parash, ndërkohë që pas verifikimeve ka rezultuar me precedent penalë për veprën e mashtrimit.
Tipologjia e katërt përdor investimet e siguruara nga aktiviteti kriminal në pasuri të paluajtshme.
Shtetasja A ka depozituar në një bankë të nivelit të dytë shumën 80, 000 EUR duke deklaruar të ardhura nga emigracioni.
Ndërkohë në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtën bankë, shtetasi X (dhëndri i shtetases A) ka hapur llogari të përbashkët me bashkëshorten e tij shtetasen B, ku ka depozituar shumën 65,000 EUR si kursime familjare dhe puna në emigracion në një vend të BE. Në lidhje me këto depozitime nuk është paraqitur asnjë dokument justifikues.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se shtetasja B ka investuar në pasuri të paluajtshme në vlerën prej 150,000 EUR por se nuk kanë biznes të regjistruar në QKB. Të dy personat janë verifikuar dhe rezultojnë të dyshuar në një shtet të Bashkimit Evropian për trafikimin e lëndëve narkotike
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.