40% e bizneseve në borxhe – Pandemia COVID-19, uli shitjet dhe tkurri veprimtarinë e tyre
Pandemia COVID-19 ka ndikuar ndjeshëm në perfomancën e bizneseve në vendin tonë, ku 40 për qind prej tyre deklarojnë se se kanë një hua për të paguar. Referuar vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjysmën e parë të vitit, kjo peshë ka shënuar një rritje me 2.6 pp krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 0.9 pp krahasuar me një vit më parë.
Në terma të madhësisë së ndërmarrjeve, pesha e ndërmarrjeve huamarrëse ka rezultuar në rritje për grupin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha krahasuar me periudhën e kaluar, ndërkohë që kjo peshë ka shënuar një rënie për ndërmarrjet e mesme. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ecuria e nivelit të shitjeve dhe e rezultatit financiar paraqesin një rënie mjaft të theksuar për gjashtëmujorin e parë 2020 për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve, duke u vlerësuar më e dukshme për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme.
Krahasimi me periudhat e mëparshme tregon përkeqësim të ndjeshëm. Të tre grupet e ndërmarrjeve shprehen për ngushtim të veprimtarisë së tyre, pa mundur të rrisin investimet për të zgjeruar aktivitetin e tyre. Pavarësisht ecurisë së përkeqësuar të këtyre treguesve, pritshmëritë e të gjitha ndërmarrjeve paraqiten pozitive lidhur me shitjet dhe rezultatin financiar për gjashtëmujorin e dytë 2020. Huamarrja e ndërmarrjeve është përdorur kryesisht për të përballuar shpenzimet korrente (rreth 52% e totalit dhe për kryerjen e investimeve afatgjata (rreth 40%).
Krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës, pesha e ndërmarrjeve të cilat kanë marrë hua për kryerjen e një investimi ka pësuar rënie për ndërmarrjet e mëdha, ndërkohë që huamarrja me qëllim përballimin e shpenzimeve korrente ka shënuar një rritje të ndjeshme për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve, duke reflektuar kështu situatën e krijuar nga pandemia.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.