40 milion euro për pagesat sociale – Rriten përtej parashikimeve shpenzimet për ndihmën ekonomike
Buxheti i shtetit ka shpenzuar afro 5.1 miliardë lekë apo 40 milionë euro për pagesat sociale në dy muajt e pare të vitit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë se Financave, është tejkaluar edhe plani me rreth 1.4 miliardë lekë.
Konkretisht, peshën më të madhe e mban ndihma ekonomike, ku janë shpenzuar rreth 4.2 miliardë lekë apo 1.3 miliardë lekë më shumë se parashikimi. Dhe duket se në këtë zë, ndikimin kryesor ta ketë pasur tërmeti i 26 Nëntorit ku një sërë familjesh të mbetura të pastreha dhe pa të ardhura janë trajtuar me ndihmë shtetërorore.
Dyfishim në raport me planin ka pësuar edhe kompensimi për ish të përndjekurit politikë, ku janë paguar 240 milionë lekë. Ndërsa është paguar më shumë se parashikohej edhe për bonusin e bebeve, ku në dy muaj u ndanë 570 milionë lekë nga 500 milionë që ishte plani fillestar.
Ndërkaq, ndihma ekonomike dhe bonusi i lindjeve kanë pësuar dyfishim shpenzimesh edhe në raport me Shkurtin 2019. Po të shikojmë treguesit ndër vite, duket se ne 10 vitet e fundit, përiudha Janar-Shkurt 2020 regjistron shpenzimet më të larta për këto kategori.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.