426 mln euro për hekurudhën M.Veriut-Shqipëri. Qeveria fqinje kërkon financim për segmentin Kërçovë-Lin
Qeveria e Maqedonisë së Veriut deklaroi së fundmi se do të kërkojë 426 milion euro (498 milion dollarë) financim për ndërtimin e një linje hekurudhore që do të lidhë qytetin e Kërçovës me kufirin me Shqipërinë. Qeveria ka autorizuar ministrinë e financave të nisë një thirrje për shprehje interesi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët dypalësh për të siguruar fonde, si dhe grante për sigurimin e ndihmës teknike për projektin.
Projekti do të kryhet në dy faza, me fazën e parë që parashikon ndërtimin e pjesës hekurudhore Kërçovë-Strugë. Lidhja hekurudhore, pjesë e korridorit 8 të transportit europian që kalon nga lindja në perëndim përmes Europës Juglindore, është planifikuar të kalojë përmes Kërçovës dhe Strugës në Maqedoninë Veri-Perëndimore në fshatin Lin në Shqipëri. Në vitin 2018, ndërmarrja publike “Transporti Hekurudhor i Maqedonisë” tha se seksioni hekurudhor pritej të ishte plotësisht funksional deri në 2023.
Ndërtimi i pjesëve të Korridorit 8 po zbatohet nën një memorandum bashkëpunimi të nënshkruar nga ndërmarrjet hekurudhore maqedonase dhe shqiptare, duke synuar koordinimin e përpjekjeve për paraqitjen e projekteve të përbashkëta institucioneve financiare ndërkombëtare në kërkimin e financimit. Korridori 8 është një nga rrugët pan-Europiane të transportit tokësor që shkon nga Durrësi në Shqipëri, nëpër Maqedoninë e Veriut për në qytetin e Varna, në bregdetin Bullgar të Detit të Zi.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.