44 shtete firmosin për heqjen e 90% të tarifave! Lind zona tregtare e lirë, e madhe sa një kontinent!
Në një kohë kur administrata e Trump kërcënon me tarifa e me mure për të vendosur kufizime në tregtinë globale, është një anë tjetër e botës, ajo e jugut, më pak e zhvilluar dhe zakonisht e historikisht e varur nga veriu, që po provon të ngrejë kokë e të bashkohet për krijimin e një zone shkëmbimesh të lira, e madhe sa kontinenti vetë.
Kjo po ndodh në Afrikë. Në kryeqytetin e Ruandës, ku liderët e një duzine vendesh kanë firmosur një marrëveshje të rëndësishme për krijimin e një zonë të lirë shkëmbimesh në rang kontinenti. Bëhet fjalë për një marrëveshje tregtare ndërkombëtare, më e rëndësishmja që nga krijimi i Organizatës Botërore të Tregtisë. Marrëveshja është emërtuar AfCFTA( African Continental Free Trade Area Agreement-Marrëveshja e tregtisë së lirë e kontinentit afrikan).
Pakti i detyron vendet firmëtare që të eleminojnë barrierat tarifore dhe tarifat për importet për 90 % të mallrave që shkëmbejnë vendet afrikane. 10 % i mbetur i tarifave për “produkte me ndjeshmëri” do të eliminohet në një fazë të mëvonshme. Marrëveshja është firmosur nga krerët e shteteve dhe qeveritë e 44 vendeve, nga 55 që përbëjnë kontinentin dhe që bëjnë pjesë në unionin afrikan. Për momentin nuk kanë nënshkruar vende si Burundi, Uganda, Benin, Namibia, Eritrea, Sierra Leone e mbi të gjitha Nigeria e Afrika e Jugut, dy kolosët që udhëheqin ekonominë e kontinentit.
Në të njëjtin rast, 27 vendet afrikane kanë nënshkruar një protokoll të dytë që autorizon qarkullimin e lirë të personave në 27 vende firmëtare. “Është një ditë historike. Pakti shënon një etapë të re në marshimin tonë drejt integrimit” komenton Moussa Faki, president i Unionit afrikan. Ai beson shumë se në takimin e radhës të vendeve afrikane do të arrijë të bindë edhe shtetet e tjera që të firmosin.
Zona e shkëmbimeve afrikane do t’u interesojë 1.2 miliard personave dhe një PBB e kombinuar që vlerësohet se arrin që tani në 2 mijë miliard dollarë në vit. Në kushtet aktuale, pjesa më e madhe e mallrave të Afrikës, si rrjedhojë e trashëgimisë koloniale dhe për mungesë të një industrie të vërtetë, vjen nga importi: Nga Kina që është partneri i parë tregtar, ndjekur nga vendet europiane, Shtetet e Bashkuara e Lindja e Mesme.
Afrika po përjeton një situatë shqetësuese: rritja ekonomike nuk po përkthehet në një ulje të varfërisë. Në 2018 personat që jetojnë në kufirin e varfërisë janë rreth 420 milion, një e treta e popullsisë së përgjithshme. Në vitin 1996 ishin 358 milionë, ndërsa në 2011 415 milionë. Me krijimin e zonës së lirë të shkëmbimeve afrikane synohet të rritet përqindja e shkëmbimeve mes vendeve në 52 % brenda vitit 2022.
Kështu, në të ardhmen jo të largët, do të mund të shiten mallra në Afrikë pa tarifa. Dhe mund të lëvizet nga një vend në tjetrin pa probleme. Sikurse ndodh në Europë.
Marrë me shkurtime nga IlSole24Ore/Përshtati në shqip:SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.