48 orë aksion në rrugët e Tiranës – Policia arreston 8 shtetas, pezullon 40 patenta
Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë ushtrimit të kontrolleve në 48 orëve të fundit në kryeqytet janë arrestuar ne kushtet e flagrancës 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 4 të pa pajisur me leje drejtimi dhe një për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit janë pezulluar 40 leje drejtimi nga të cilat 6 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 30 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 4 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia ka proceduar administrativisht 42 drejtues mjetesh për qarkullim me mjete me xhamat e parë të errësuar si dhe ka proceduar administrativisht 6 drejtues mjetesh për sisteme shtesë pamore dhe zanore.
Sipas njoftimit janë vendosur 1 250 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, Policia Rrugore i ka bërë apel drejtuesve për të treguar kujdes të shtuar në fundjavë dhe më shumë durim nga të gjithë përdoruesit e rrugës, kryesisht nga drejtuesit e mjeteve që kane si destinacion zonat bregdetare, të cilët duhet të zgjedhin orare dhe rrugë alternative të përshtatshme, si edhe të shmangin sa të mundin rrugët në të cilat po bëhen punime të ndryshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.