5.8% më shumë turistë të huaj në Shkurt – Rritet numri i hyrjeve nga Anglia, “frenohen” vizitat nga Kosova
Numri i vizitorëve të huaj ka regjistruar një rritje të lehtë për muajin shkurt. Referuar të dhënave zyrtare të Institut të Statistikave, numri i turistëve kaloi pragun e 201 mijë personave gjatë muajit të kaluar, duke u rritur me 5.8% krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Burimi: Instat
Vendi ynë po bëhet një destinacion i preferuar për britanikët, pasi të dhënat e INSTAT e vendosin Anglinë në krye të listës si vendi që ka regjistruar hyrjet më të larta. Kështu, numri i turistëve anglezë është rritur me 27.9% krahasuar me muajin shkurt të vitit 2018.
Të njëjtin trend rritës kanë ndjekur edhe turistët nga Maqedonia, ku ndryshimi vjetor përllogaritet në 17% më shumë hyrje në vend së në krahasim me shkurtin e vitit 2018. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Greqia janë disa ndër vendet e tjera që kanë patur një rritje të lehtë muajin e kaluar sa i takon hyrjeve në vend.
Burimi: Instat
Ndërsa, uljen më të madhe të hyrjeve në vend e kanë patur shqiptarët e Kosovës. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit shkurt numri i vizitave nga Kosova përllogaritet në 58 498, duke u ulur me 12.5% në krahasim me shkurtin e vitit 2018.
Ndërkohë, krahas rritjes së numrit të hyrjeve në vend, në rritje janë evidentuar edhe vizitat e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Të dhënat tregojnë se daljet për muajin shkurt janë 208 467, duke u rritur me 6.7%.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.