5-fishohen refugjatët në Shqipëri – Raporti i IOM flet për rreth 1700 në 2018, por shifra mund të jetë më e lartë
Të dhënat më të fundit nga Organzata Ndërkombëtare e Migrimit, tregojnë se, gjatë 2018-ës e deri më tani, në Shqipëri janë konstatuar nga autoritet vendase plot 1698 refugjatë, ose 5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm. Të dhënat tregojnë kështu qartë se Shqipëria është kthyer në një rrugë të re kalimi për refugjatët që vijnë ekskluzivisht nga Lindja e Mesme.
Në vendin tonë, 50% e refugjatëve të ardhur janë nga Siria, ndërsa ndjekin pas edhe Afganistani me Irakun. Pavarësisht se bëhet fjalë për një rritje të ndjeshme të numrit të refugjatëve, të dhënat duket se sinjalizojnë edhe një fenomen tjetër; atë të kalimit të paligjshëm të kufirit. Shifrat për fqinjët flasin për një numër bindshëm më të lartë refugjatësh, 3400 në Mal të Zi këtë vit dhe 16 mijë në Bosnje Hercegovinë. E ndërkohë që në Bosnje Hercegovinë refugjatët hyjnë edhe nga Serbia, në Mal të Zi hyjnë vetëm nga Shqipëria, këtë e tregon shumë mirë dhe harta e Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit.
Fakti që Mali i Zi ka dy herë më shumë refugjatë të konstatuar se Shqipëria, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta, meqë Mal i Zi `furnizohet` nga vendi ynë, ndoshta do të thotë se një pjesë e madhe e refugjatëve që hyjnë në vendin tonë nuk konstatohen nga autoritetet, e madje dalin lirisht edhe përtej kufirit. Refugjatët nga Shqipëria në Mal të Zi kalojnë nga pika e kalimit të Hanit të Hotit, por edhe nga Tropoja, nëpërmjet maleve.
Roel Korkuti /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.