5 lehtësi për ringritjen e bizneseve/ Basha: ”Masa urgjente për zonat e prekura nga tërmeti”
Kryedemokrati Lulzim Basha i kërkon qeverisë që të marrë 5 masa urgjente për të ndihmuar në ringritjen e biznesve në në zonat e prekura nga tërmeti. Basha zhvilloi takime me pronarë të disa biznesve në qytetin e Durrësit ku u njoh më nga afër me problematikat. Sipas tij, mosmarrja e masave të menjëherëshme, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin në Durrës dhe gjithë Shqipërinë
“Edhe njëherë i kërkoj qeverisë të marrë masa të menjëhershme për ringritjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti duke nisur me:
1.Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
- Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
- Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
- Përjashtimin nga TVSH për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
- Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.- është shprehur Basha.
Kërkesat e opozitës janë artikuluar disa herë, por qeveria ende nuk ka marrë masa shtesë, pavarësisht se është shprehur se po përgatit një paketë të mirëfilltë që do ti përgjigjet kësaj situate. Opozita i kërkon qeverisë të marrë masa urgjente në ndihmë të bizneseve që operojnë në zonat e prekura nga tërmeti, të cilat lidhen kryesisht me lehtësi fiskale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.