5 lloje drejtuesish, të cilët mendojnë se po e bëjnë punën mirë! Gjithkush mund të jetë një shef, por kjo nuk do të thotë që ai është lider
Të gjithëve na ka rastisur, njëherë, apo më shumë, gjatë punës sonë, që të kemi patur përballë një njeri me post të lartë, me pagë, gjithashtu të lartë dhe me një vend parkimi të rezervuar dhe kemi menduar: “Si e ka fituar këtë vend pune ky njeri?” Sjellja, jo e drejte dhe, shpeshherë, jokompentenca mund të zënë vend te drejtuesit dhe kjo, për fat të keq, mund të ndikojë edhe në jetën tonë në punë. Le të shohim më imët, pesë llojet e drejtuesve dhe mënyrat se si të përballemi me ta.
Drejtuesi që thotë “po”, por ndryshon mendje
Marrim në shqyrtim rastin kur juve ju jepet një “dritë jeshile” për të ecur përpara në një nismë personale në punë, por, prapë, drejtuesi juaj, jo vetëm që ka ndryshuar mendje, por duket se i ka harruar të gjitha, madje edhe se e ka miratuar projektin për të cilin keni aplikuar. Nëse kjo është një zhvendosje në drejtimin, bazuar mbi disa informacione të reja, të rëndësishme, kjo është mëse e drejtë, por, nëse sjellja e tij është “déjà vu”, më shumë se disa herë, ju keni një problem në mjedisin e punës. Ajo çka duhet është përballja me këtë situatë. Mënyra për t’iu qasur kësaj sfide është identifikimi i asaj, çka po e shkakton këtë zvarritje, apo sepse dikush i ka pëshpëritur në vesh zëra, shefit tuaj. Në momentin kur ju do të keni një kuptim të plotë të asaj çka duhet të përfshihet, në ndihmë të ndryshimit të mendimit të drejtuesit tuaj, përfshijini edhe zërat kundër në takime dhe përballini refuzimet e tyre, përpara se të filloni projektin. Pasi të keni bërë një gjë të tillë, ju duhet të prisni. Ndërtoni plan-projektin tuaj për disa ditë, derisa “pluhuri” të pastrohet dhe, më pas, mblidhuni me drejtuesin tuaj sërish, për të konfirmuar planet tuaja.
Drejtuesi që nuk iu lë të punoni me të tjerë
Kompania juaj mund të ketë shumë departamente dhe perspektiva të ndryshme. Ju mendoni se projekti që jeni duke punuar mund të përfitojë shumë nga puna në grup, por drejtuesi juaj nuk ndan këtë ide. Ai mund të thotë se është më mirë të përfshihen të tjerët, pasi e kanë mbaruar orarin zyrtar të tyre, për të marrë pjesë më pas në projekt, për të mos lënë pa bërë punën e tyre. Nga ana tjetër, drejtuesi juaj mund të thotë se gjithsecili është i zënë me përparësitë e veta. E gjithë kjo mund të jetë e vërtetë në disa këndvështrime, por nëse kjo mungesë mbështetjeje për bashkëpunim krijon ndasi e përçarje, diçka duhet të ndryshojë. Për t’u përballur me këtë situatë, ju duhet t’i bëni bisedat jashtë pune. Caktoni një moment për të vizituar departamentet e tjera, rregullisht. Përgjatë drekës, apo pas punës, ju duhet të përmendni të gjitha projektet ambicioze që mund të punoni me ekipin dhe që mund të kenë një ndikim pozitiv në të gjithë kompaninë. Transparenca dhe e vërteta janë “çelësa” suksesi dhe për të qenë një drejtues i vërtetë.
Drejtuesi që nuk pajtohet me idetë tuaja
Ju paraqisni një ide, ose e ndani perspektivën tuaj me shefin dhe ai nuk është dakord. Më pas, ju nuk përfshiheni më në takime. Në momentin kur uleni në tryezë diskutimi, ju injoroheni. Në këtë situatë, ka shumë të ngjarë që drejtuesi juaj është duke u treguar hakmarrës ndaj jush. Mund të ndodhë, gjithashtu, që kjo të jetë imagjinata juaj, por, në shumicën e rasteve, është skenari i parë që përmendëm. Pavarësisht se kjo sjellje nuk është e lejueshme, shefat e këqinj dinë se si të kërcënojnë lehtë, me synimin përfundimtar, që ju të hiqni dorë nga propozimi, apo edhe për të paraqitur dorëheqjen nga puna, e me shumë mundësi, ju mund ta bëni një gjë të tillë. Kjo është njëra prej mënyrave, për t’u përballur me këtë situatë. Mënyra tjetër është që, ju duhet të caktoni një takim me drejtuesin tuaj dhe të ndani me të aspektin tuaj të asaj çka po ndodh dhe të kërkoni edhe perspektivën e tij. Pasi të jeni kthyer në tavolinën tuaj të punës, shkruani një mail të shkurtër, referuar takimit; të asaj që u diskutua dhe t’i tregoni atij se ju i kuptoni përparësitë e vendosura nga ai. Ju duhet t’i rendisni këto përparësi dhe t’i thoni atij se jeni të kënaqur që janë shuar shumë paqartësi. Këtu, sigurisht, nuk ka garanci që ai të pranojë tërësisht propozimin që i keni bërë në fillim, por ju jep juve një panoramë të të gjithë gjërave dhe e vë atë në dijeni.
Drejtuesi që kërkon të gjejë fajtorë
Ju dhe kolegët keni nisur një fushatë të re. Rezultatet, për fat të keq, nuk janë aq të mira sa kishit shpresuar. Ju i raportoni këto të dhëna te drejtuesi juaj, si dhe ndani me të mësimin që keni marrë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Shefi juaj kërkon të dijë se kush është fajtori, në këtë mes. Për t’u përballur me këtë situatë, ju duhet të paraqiteni në tavolinë, me atë çka ishte rënë dakord në fillim dhe cilat ishin shpresat për projektin. Ndani një gjykim personal, për mënyrën se si vijoi projekti që nisët dhe, më pas, zhvendosuni te pika aktuale e tij, duke paraqitur pikat “pro” dhe “kundër”, duke theksuar gjithmonë pozitivet. Duke u përqendruar mbi skuadrën që ka punuar, kundrejt një gabimi specifik, të bërë nga një person i vetëm, ju e bëni të vështirë situatën, si për shefin tuaj, ashtu edhe për të gjithë ata që janë të përfshirë në projekt.
Drejtuesi që merr meritat tuaja
Ju keni punuar e jeni lodhur për ditë e netë me radhë, e më në fund vjen dita kur keni përfunduar një projekt dhe jeni gati t’ua tregoni të gjithëve. Në momentin që bëhet publike nga kompania dhe kur mund të jenë edhe gazetarët të pranishëm, juve nuk përmendeni. Nëse nuk është e zakonshme për një shef departamenti, që të marrë meritën tuaj, në suksesin e arritur, nga ana tjetër është shenjë e një drejtuesi të keq kompanie, i cili nuk e kupton atë që ka ndodhur dhe atë që ka bërë pjesën kryesore të punës, e atë që ka patur një ndikim të vogël. Le të shohim se si duhet të përballemi me këtë situatë, e cila haset, jo rrallë. Nëse lajmërimi publik nuk paraqet individët e duhur që kanë bërë që ai projekt të jetë i suksesshëm, apo edhe grupin që ka punuar, mënyra më e mirë për t’u afruar te shefi juaj varet nga ata. Nëse ju mendoni se ka qenë veprimi i duhur, ju duhet ta lini të vazhdojë. Nëse njerëzit e ekipit tuaj duhet të ishin duartrokitur, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë, ju duhet t’i shpalosni meritat e atyre. Kjo mund të bëhet, edhe duke dërguar një e-mail të thjeshtë, të brendshëm, apo duke i ftuar për drekë. Në këtë mënyrë, ju keni mundësinë për të bërë atë që nuk ka bërë shefi juaj; të qenit lider.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.