50 mijë euro përmes kanosjes dhe dhunës – Policia arreston në flagrancë 3 shtetas
Policia e Shtetit ka arrestuar 3 shtetas për gjobë vënie ndaj një biznesmeni, njëri prej të cilëve ishte edhe me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.
Sipas njoftimit, operacioni nga Seksioni për Hetimin ndaj Personit e Pasurisë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat përkatëse kanë bërë të mundur realizimin e këtij operacioni. Policia bëri me dije se gjithashtu është sekuestruar edhe një shumë prej 5 mijë euro në momentin e ndërhyrjes e cila ishte paguar si kësti i radhës nga biznesmeni.
Sipas njoftimit, pas një hetimi me metoda speciale u arrestuan në flagrancë shtetasit L. Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, E. Sh., 26 vjeç, banues në Krujë dhe K. E., 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.
Policia tha se arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës. Gjithashtu u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet në cilësinë e provës materiale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.