50 milion euro taksa nga ndërtimet e reja/ Bashkia: ”Ndryshoi baza e taksueshme, në 2020 parashikohen 35 milionë euro”
Rreth 50 milionë euro apo 6 miliardë lekë ka arkëtuar Bashkia e Tiranës gjatë vitit 2019 nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.
Sipas Bashkisë, realizimi i të ardhurave nga ky zë rezulton rreth 15% më të lartë se në vitin 2018, duke tejkaluar planin e miratuar, si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve nga struktura përgjegjëse.
Bashkia sqaron se në bazë vjetore, volumi i ndërtimit nuk ka ndryshime të theksuara nga periudha përpara vitit 2017, ç’ka do të thotë që rritja në nivelin e arkëtimeve ka ardhur si rezultat i ndryshimit të bazës së taksueshme.
“Suksesi i mbledhjes së kësaj takse si në vitin 2018 dhe në vitin 2019, duke patur parasysh se cmimet në qytetin e Tiranës nuk janë rritur por rezultojnë krahasueshmërisht të njëjta tregon se kjo taksë nuk ka patur asnjë impakt tek qytetari, por ka ulur deri diku fitimin e zhvilluesve, por jo aq sa të disincentivojë apo ulë interesin e tyre për zhvillim.
Pra është arritur një balancë midis “vullnetit për të paguar” të biznesit të ndërtimit dhe volumit të ndërtimit që krijon hapësirë rezidenciale për dhjetra mijëra rezidentët e rinj që i shtohen çdo vit Tiranës”, argumentohet në buxhetin e këtij institucioni për 2020-ën.
Ndërsa pritshmëritë për këtë vit, janë që niveli i arkëtimeve të jetë më i ulët se a ii dy viteve të fundit dhe parashikohet të mblidhen rreth 4.3 miliardë lekë apo 35 milionë euro, të cilat më së shumti do të gjenerohen nga zhvillimet e reja që pritet ti shtohen Tiranës në zonën e Bulevardit të Ri, ku është miratuar edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit – plan ky që i hap rrugë zhvillimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.