500 raste në vit me tuberkuloz – “Shefqet Ndroqi” ofron falas ekzaminimin e shintigrafisë
Gjatë vitit që lamë pas janë raportuar rreth 500 raste me tuberkuloz, nga të cilat 95% e tyre ishin raste të reja dhe vetëm 5% ishin të ritrajtuar. Incidenca e tuberkulozit në vendin tonë është 16 raste të reja për 100,000 banorë. Në ditën botërore të kësaj sëmundje Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Ogerta Manastirliu u shpreh se masat e kontrollit të infeksionit ndaj TB kanë filluar të përforcohen edhe në rrethe sidomos tani që ka filluar trajtimi i të sëmurëve më TB në spitalet e rretheve ku më parë trajtoheshin vetëm në Tiranë, Shkodër dhe Korçë.
Ndërkohë gjatë vitit 2018 pacientët rezistent ndaj trajtimit do të trajtohen në vendin tonë pasi do të ndërtohet klinika e specializuar e trajtimit të pacienteve me MDR-TB pranë Spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Ndërkohë në spitalin Shefqet Ndroqi ofrohet ekzaminimi i shintigrafisë, një ekzaminim me lëndë radioaktive që kryhet në nivel terciar dhe që shërben për diagnostikimin e sëmundjeve që prekin shumë organe si mushkërinë, kockat, veshkat, tiroiden etj. Sipas Manastirliut do të vijojnë investimet në sektorin publik shëndetësor.
Vetëm në muajt e parë të fillimit të këtij shërbimi në spitalin Universitar Shefqet Ndroqi, 200 pacientë kanë kryer këtë ekzaminim pranë kësaj qendre. Vetëm një shintigrafi kockore për një pacient kushton 20 mijë lekë Në këtë spital parashikohet të kryhen rreth 1300-1500 raste në vit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.