583 milionë euro PPP – Buxheti/ Mbi 8800 kontrata investimesh, u paguan 40 mln euro për koncesione
Afro 515 miliardë lekë është vlera e totale e kontratave të lidhura të projekteve për investime ende në vazhdim nga ministritë e linjës dhe institucionet qendrore të pavarura për 8 mujorin e vitit 2020. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, mbi ecurinë e këtyre projekteve dhe pagesat e bëra deri më tani, rezulton se janë paguar nga buxheti i shtetit 399 miliardë lekë dhe detyrimi që ende mbetet për tu paguar deri në fund të vitit rezulton rreth 116 miliardë lekë.
Ajo që vihet re është se bëhet fjalë për mbi 8800 kontrata të lidhura gjatë kësaj periudhe që më së shumti kanë të bëjën me investime infrastrukturore, rikonstruksione, si dhe shpenzime të pagesave të TVSH-së apo kompensime, ndërkohë që një pjesë e mirë ka shkuar edhe për blerje të nevojshme të pajisjeve për institucionet shtetërore. Po nga të gjitha kontratat e lidhura, vihet re se vlerën më të lartë dhe që i rëndon më së shumti buxhetit të shtetit, e kapin ato koncesionare, ku detyrimi llogaritet në afro 72.5 miliardë lekë apo rreth 583 milionë euro, nga të cilat janë paguar 5 miliardë lekë apo 40 milionë euro në 8 muaj dhe detyrimi i mbetur llogaritet në afro 67.4 miliardë lekë.
Në total janë 14 kontrata koncesionare aktive, dhe deri në fund të vitit janë parashikuar të paguhen nga buxheti i buxheti i shtetit në total rreth 7.6 miliardë lekë, nga të cilat rreth 2.8 miliardë lekë janë investime dhe rreth 4.7 miliardë lekë shpenzime korrente.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.