60 % e punëkërkuesve, pa shkollë – Papunësia e lartë, bizneset nuk kanë ofertë
Më shumë se gjysma e punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, në pritje të ndonjë oferte, janë me arsim deri në 9 vjeçar. Shifrat zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit tregojnë edhe defektet e tregut të punës sa i përket kërkesës dhe ofertës dhe shkaqet e papunësisë në nivele të larta. Por ndërkohë që totali arrin në 57 për qind, në këtë grup, një numër të lartë përbëjnë ata që kanë arsim më pak se fillor apo fillor, në mbi 5 mijë individë. Shumica janë me arsim bazë, ndërsa vetëm rreth 4600 individësh janë me arsim të lartë.
Shqetësues është fakti se në fund të vitit 2018, rezultojnë të regjistruar si Punëkërkues të Papunë afatgjatë, pra që kanë më shumë se një vit në kërkim të një pozicioni pune, rreth 32,473 individë ose 50% e totalit. Shërbimi Kombëtar i Punësimit vë në dukje raportin e zhdrejtë midis kërkesë dhe ofertës në treg. Ku nënvizon për profesionet elementare dhe kategorinë pa profesion të cilat përbëjnë 54% të regjistrit të punëkërkuesve të papunë paraqiten vetëm rreth 14 mijë vende të lira pune të regjistruara, ose 40% të totalit të kërkesave për punësim nga këto kategori.
Ndërsa në të gjitha kategoritë e tjera profesionale, numri i vendeve te lira te shpallura e tejkalon numrin e punëkërkuesve të papunë të regjistruar në këto kategori.
Elisabeta Dosku/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.