61% të bizneseve u ikin punonjësit! Studimi/ Emigracioni, problem në fuqinë punëtore
61 për qind e bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri vuajnë largimin e punonjësve në emigracion, çka sjell efekte të dëmshme në veprimtarinë e tyre.
Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania” zhvilloi një studim mbi performancën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në vendin tonë, për periudhën Janar – Shtator 2019, ku u përfshinë rreth 500 sipërmarrje në sektorët e shërbimit, prodhimit, agro-përpunimit, shitje me pakicë/shumicë, ICT, artizanat.
Sipas të dhënave të studimit, rezulton gjithashtu se afro 43 për qind e sipërmarrjeve kanë nevojë për aftësi teknike me qellim zgjerimin e biznesit të tyre, 43 për qind të tjera për nevoja financiare dhe 14 për qind për aftësi menaxheriale.
Lidhur me problematikat që hasin në veprimtarinë e tyre, pjesa më e madhe e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, vlerësojnë si shqetësim kryesor fuqinë punëtore të pakualifikuar, korrupsionin si dhe licencimin e lejet e biznesit.
Për shkak të pagave të ulëta dhe mundësive më të mira që ofrohen jashtë vendit, Shqipëria është përballur me një largim masiv të fuqisë punëtore, kryesisht të asaj kategorie që lidhet me zanatet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.