64 ankesa te “Rruga Dixhitale” – Qytetarët “konfuzë”, raportojnë edhe probleme të lagjes
Një javë pas prezantimit të aplikacionit “Rruga Dixhitale”, ku qytetarët mund të denoncojnë problematikat e tyre në lidhje me sinjalistikën, shpronësimet apo mirëmbajtjen në rrugë janë regjistruar 64 raportime, të cilat janë marrë në administrimin nga përfaqësuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Numrin më të lartë të ankesave e ka kategoria e problematikave në rrugë, me 57 të tilla, nga të cilat 19 kanë marrë zgjidhje.
Megjithatë, përfaqësues nga dikasteri i rrugëve thonë se në disa prej raportimeve vihen re problematika në drejtim të shqyrtimit të ankesës, duke qenë se qytetarët denoncojnë edhe probleme që mund të lidhen me lagjen e tyre, çka nuk është në fokus në këtij aplikacioni apo nuk japin të dhëna të sakta mbi vendndodhjen përkatëse.
Në këto kushte, institucionet kërkojnë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm, duke patur parasysh që në këtë platformë mund të denoncohen vetëm problematika që kanë të bëjnë me akset nacionale, pra me rrjetin rrugor që administrohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Aplikacioni “Rruga Dixhitale” është pjesë e projektit për mirëmbajtjen e rrugëve me Bankën Botërore, ndërkohë që ai mund të shkarkohet në aparatet smart phone si dhe mund të aksesohet edhe në versionin website.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.