69% e emigrantëve të rikthyer, të papunë – Studimi i World Vision Albania: 59% punojnë në të zezë, 58% do të riemigronin
Një studim i publikuar së fundmi nga World Vision Albania në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike sa i përket integrimit të shqiptarëve të rikthyer nga emigracioni, nënvizon faktin se 68.9% e tyre janë të papunë. Studimi i kryer në formën e një anketë, ndër të tjera tregon se, mes atyre që punojnë, 59% janë punonjës informalë, pra në të “zezë”. Mbi 70% e të rikthyerve pohojnë se punësimi, strehimi dhe informacioni për shërbimet janë 3 nevojat kryesore për të cilat ata kanë nevojë e që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e familjeve të rikthyera nga emigracioni në Shqipëri, thotë studimi.
Pak më shumë se një e treta e të rikthyerve ndërkohë, ose më saktë 36% e tyre, pohojnë se të ardhurat mesatare të familjeve të tyre variojnë mes 10.100-25.000 lekëve në muaj. Pas riatdhesimit, vështirësitë që hasin të rriturit, ashtu sikurse edhe fëmijët e tyre për t’u riintegruar në vendin e tyre janë të mëdha, thotë studimi.
Rreth 58% e të intervistuarve pohojnë se do të emigronin përsëri jashtë vendit, nëse do t’u jepet mundësia. Ndërkohë që sipas tyre, arsyet për të riemigruar lidhen me: papunësinë (50%), mundësi më të mira punësimi (36.8%) dhe një të ardhme më të sigurtë për fëmijët e tyre (33.2%). Studimi u zhvillua gjatë muajit prill 2020 me 190 të rikthyer në 13 bashki të Shqipërisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.