7.9 miliard lek fatura të papaguara – Lista e borxheve sipas institucioneve qendrore. Kryesojnë “super ministritë”
Detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore dhe institucioneve vendore deri në fund të marsit të këtij viti rezultojnë në rreth 20.7 mld lekë, nga rreth 23.8 mld lekë që ishin në fund të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe e zënë detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore, me rreth 7.9 mld lekë, tregojnë shifrat zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Por, cilat janë institucionet më borxhlije dhe ato më të rregullta? Shifrat tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë mban vendin e parë, me 29.1% të totalit, ose 2.3 mld lekë, e ndjekur nga ajo e Mbrojtjes me rreth 26.7% të totalit si dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë me 26.2% të totalit.
Presidenca, Këshilli i lartë Gjyqësor si dhe Ministria e Bujqësisë rezultojnë të jenë ato më të rregulltat. Më saktësisht, institucioni i presidencës, dhe ai i Këshillit të Lartë Gjyqësor kanë pasur vetëm nga 100 mijë lekë detyrime deri më 31 mars të këtij viti. Ministria e Bujqësisë, me “vetëm” 3.6 mld lekë detyrime të prapambetura duket të jetë Ministria më e rregullt në drejtim të pagesave.
Por si janë të klasifikuara këto detyrime të prapambetura? Në vend të parë janë detyrimet e prapambetura rrjedhojë e vendimeve gjyqësore, me rreth 3.7 mld lekë. Ky zë, mban thuajse gjysmën e totalit, ose më saktë, 47.4% të totalit të detyrimeve të prapambetura të institucioneve qendrore, të paktën deri më 31 mars të këtij viti. Më pas ndjekin investimet, me rreth 26% të totalit, ose 2.1 mld lekë. Edhe zëra si shërbimet apo mirëmbajtja zënë një peshë të konsiderueshme në “faturat” e papaguara të këtyre institucioneve. Zëra si rimbursimi i TVSH, mallra apo sigurimet shoqërore ndërkohë, zënë ndjeshëm më pak hapësirë në listën e borxheve të institucioneve të qeverisë qendrore. Vendimet gjyqësore të papaguara kapin një vlerë prej rreth 5.4 mld lekësh, ose rreth 44 mln euro, së bashku me detyrimet e institucioneve vendore.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.