7 vatra zjarri në 24 orë – Digjen dhjetëra hektarë me pisha e ullinj në disa qarqe
Dhjetëra hektarë me pisha, qindra rrënjë ullinj e bazë ushqimore janë djegur gjatë 24 orëve të fundit, ku në qarqet Tiranë, Korçë, Vlorë, Shkodër e Fier janë shënuar 7 vatra zjarri.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 38 punonjës zjarrfikës, 7 automjete zjarrfikëse, 45 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, si dhe punonjës të Pyjores, të bashkive dhe qytetarë vullnetarë etj, të mbështetur nga helikopterë.
Në qarkun e Tiranës vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Sinaballaj të bashkisë Rrogozhinë. Si pasojë e zjarrit janë përshkuar rreth 20 ha me shkurre dhe pisha, nga të cilat rreth 4 ha me pisha janë djegur.
Në Korçë janë shuar vatrat e zjarrit në pyllin me pisha në fshatin Panarit, Vithkuq, bashkia Korçë. Si pasojë e zjarrit u përshkua një sipërfaqe rreth 15 ha me shkurre dhe pisha, nga të cilat rreth 1 ha me pisha janë djegur.
Në fshatin Shtyllë, Vithkuq, bashkia Korçë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me bazë ushqimore. Në vendngjarje kanë punuar zjarrfikës, forca të ushtrisë dhe të bashkisë të cilat kanë shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 3000 dengje me bazë ushqimore.
Në qarkun e Vlorës, në fshatin Karroq, Livadhja, bashkia Finiq, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullota. Ndërsa në fshatin Stjar të bashkisë Delvinë janë djegur 150 rrënjë ullinj si pasojë e zjarrit.
Edhe në qarkun e Fierit zjarri ka përfshirë 60 rrënjë ullinj.
Në qarkun Shkodër në fshatin Aliaj, Kastrat, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me vreshta. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,1 ha me vreshta.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.