73 mln lekë fond shtesë për Tatimet për pagat dhe sistemin e ri
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përfituar një fond shtesë në buxhetin e miratuar për vitin 2018.
Referuar vendimit të botuar në ‘Fletoren Zyrtare’, DPT i shtohet fondi prej 50 milionë lekësh për financimin e projektit ‘Implementimi në sistemin tatimore e-taxation të ndryshimeve ligjore të paketës fiskale 2019.’ Efekti financiar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
e-Taxation është një projekt madhor i ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe i mbështetur nga organizma ndërkombëtarë financiarë, për të modernizuar infrastrukturën softuerike të Administratës Qendrore Tatimore në Shqipëri.
Ndërkohë, Administrata Tatimore do të përfitojë po ashtu një tjetër shtesë fondi prej 23 milionë lekësh për pagesën e punonjësve me kontratë për periudhën nëntor-dhjetor 2018.
Ndërsa sa i takon efektit financiar, ky i fundit do të përballohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pjesë e programit ‘Planifikim, menaxhim dhe administrim’ i miratuar po për këtë vit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.